Madonna fishkëllehet në Bukuresht
Madonna fishkëllehet në Bukuresht sepse mbrojti romët! Në fillim, fansat e saj e duartrokitën me edukatë programin hyrës me këngëtarë romë në skenën ku do këndonte Madonna. Më pas ylli i pop-it dënoi diskriminimin e përgjithshëm mbi romët ose ciganët — dhe kupa u mbush. Ndryshimi i egër i humorit të turmës prej 60,000 pjesëmarrësish në koncert dëshmoi se si paragjykimi racor nda romëve ende mbizotëron anembanë Evropës Lindore. Megjithë përpjekjet e mëdha nga institucionet dhe grupet e të drejtave të njeriut faktet tregojnë se ndoshta romët vuajnë një përçmim dhe diskrimim më të fortë se sa të gjitha grupet e tjera etnike në kontinent.
Shpesh mund të jetë edhe me pasoja vdekjeje: Në fqinjin me Rumaninë, në Hungari, gjashtë romë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në disa sulme të paramenduara ndaj fshatrave që mbizotërohen nga popullsia rome. Romët ose Ciganët janë një grup etnik nomad që mendohet se i ka rrënjët në kontinentin indian. Ata jetojnë më shumë në Evropën jugore dhe lindore, por disa qindra mijëra emigrojnë në kërkim të një jetese më të mirë në perëndim. Romania ka numrin më të madh të romëve në rajon. Disa thonë se ata kalojnë numrin 2 milion, ndonëse zyrtarisht deklarohen 500,000.
Shpesh evropianët çmenden për ritmet dhe shpirtin muzikor të romëve. Kjo shpjegon edhe se përse muzikantët romë dhe një balerin që shoqëruan Madonën në skenë u pritën më ovacione. Por edhe se përse më pas turma i’u kthye e inatosur Madonës kur ajo pas dy orë koncerti, gjatë një pauze, preku nervin duke thënë: “Më është thënë se ka shumë diskriminim gjithandej për romët dhe ciganët në Evropën Lindore….Kjo gjë më trishton shumë”. Mijerat e fansave të saj deri në atë moment u kthyen kundër saj duke e fishkëllyer. Pak veta e duartrokitën kur ajo tha: “Ne nuk besojmë në diskriminim… ne besojmë në lirinë dhe të drejtat e barabarta për të gjithë njerëzit”. Por menjëherë pas kësaj ajo u kundërshtua nga turma kur kërkoi edhe të drejta të barabarta për homoseksualët dhe të tjerët. E fishkëlleva sepse m’u duk fallse kur filloi të na jepte mend - tha një pjesëmarrës. C’punë ka ajo të na thotë ne këto gjëra?” tha Ionut Dinu, 23 vjeç.
Madonna nuk reagoi dhe vazhdoi koncertin, që u mbajt në datë 26 gusht, ngjitur me pallatin e ish diktatorit Nicolae Ceausescu. Më pas stafi i saj i tregoi çdo detaj, dhe në një deklaratë u shpreh: “Madonna prej javësh po bën një turne të paharrueshëm me një trupë fenomenale romësh, të cilët i kanë treguar për diskriminimin, ndaj edhe ajo mendoi të deklaronte ato që tha”.

KOMENTET E FUNDIT: