Spanjë, folk shqiptar në Gran Canaria
Nga Gëzim Podgorica - Dinjitet dhe vlera artistike shqiptare në Gran Canaria të Spanjës. Festivali folklorik ndërkombëtar në Gran Canarias të Spanjës për herë të parë kishte të ftuar edhe një grup nga Shqipëria. Vendi i mrekullive turistike me një dyndje të jashtëzakonshme turistësh ku kufijtë midis ditës dhe natës janë pothuajse të paperceptueshme, kishte programuar edhe një festival që tërhoqi jo vetëm shikues të shumtë, por edhe vëmendjen e gjithë medias prestigjioze spanjolle. Grupi shqiptar, nën drejtimin e koreografit të njohur, Arian Sukniqi, u paraqit duke lançuar disa nga vlerat më të mira të artit tradicional shqiptar. Në përbërjen e këtj grupi ishin 23 pjesëtarët nga më të spikaturit e trupës së baletit të TOB. Trupa shqiptare performoi së bashku me Ansamblin shtetëror të Kubës, me ansamblin profesionist kombëtar të Meksikës, me trupat profesioniste nga Somalia, Ukraina, Gjeorgjia, Kina, Brazili, Serbia, Azerbaixhani, Portugalia, etj. Të gjitha trupa profesioniste me eksperiencë dhjetëra vjeçare dhe fituese të shumë trofeve ndërkombëtare.
Ky festival i cili organizohej nga C.I.O.O.F dhe ministria e kulturës Spanjolle ishte formatuar në kuadër të paqes dhe shkëmbimeve kulturore. Paraqitja e trupës shqiptare ishte spektakolare dhe jo me kot ajo u quajt ëmbëlsia e festivalit. Performanca shqiptare zuri shumë vend në shumë faqe gazetash dhe ju bë jehonë bashkë me komentet përkatëse në disa stacione televizive.
Shfaqja e ansamblit tonë jo rastësisht u zgjodh ndërmjet mjaft ansambleve pjesëmarrëse për t’u transmetuar ne kanalin e parë televiziv të Radiotelevizionit Publik spanjoll, (TVE) i cili pas një komenti prej 10 minutash për Shqipërinë, vijoi programin me 50 minuta shfaqje artistike. Në komentin që i parapriu programit artistik iu bë e njohur publikut përpjekjet titanike shqiptare për tu shkëputur nga e kaluara, reformat që vendi ka ndërmarrë si dhe u fol për disa nga resurset natyrore që ky vend i vogël ballkanik mbarte.
Trupa Shqiptare do të largohej nga Gran Canaria drejt nje surprize që TVE-5 i bënte për të qenë pjesëmarrës në një koncert në ishullin e Lanzarotës, qe ky televizion organizonte në kuadër shkëmbimit kulturor. Trupa jonë u ftua të prezantonte në nje limit kohor 30 minutësh disa nga vlerat me tradicionale Shqiptare, jo vetëm në fushën e baletit, por edhe atë të kulinarisë dhe ta artizanatit. Drejtuesi i grupit tonë, Arian Sukniqi u ftua më pas në emisionin special të darkës së datës 10 gusht në një intervistë prej 50 minutash, në të cilën u fol për folkorin shqiptar, traditat tona, zhvillimin e artit në Shqipëri në periudhën post-komuniste e të tjerë. Intervista u shoqërua edhe me pamje nga Shqipëria dhe ndryshimet që kanë ndodhur në këtë vend në këtë periudhë, si dhe me disa nga ilustrime të shfaqjeve të dhëna për gjatë gjithë shfaqjeve të dhëna në skena të ndryshme të Spanjës së veçantë turistike.
Grupi prej 23 artistësh performoi në mënyrë mjaft dinjitoze dhe sfidoi edhe vishtirësitë e krijuara nga udhëtimi shumë i gjatë me autobus që nga Shqipëria. Megjithë lodhjen e madhe dhe mungesën e mbështetjes financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke shfrytëzuar burimet e brendshme të vetë artistëve, u arrit që në Spanjë, Shqipëria artistike të linte një gjurmë mjaft mbresëlënëse dhe të afishonte vlera jo vetëm kulturore, por edhe shumë më gjerë se kaq, të cilat u pasqyruan gjerësisht nga mediat vendase.

KOMENTET E FUNDIT: