Raketat, SHBA sytë nga Ballkani
Rishfaqet debati ruso-amerikan për sistemin e mbrojtjes raketore. Shqipëri-Serbi-Kosovë, baza e mundshme e SHBA-së. Kanalet mediatike ruse afër Kremlinit paralajmërojnë për zhvendosje të bazës së radarëve. Kufi i përjetshëm mes dy botëve më të mëdha. Ky përkufizim, i përdorur shpesh për Shqipërinë, duket se po riaktualizohet edhe sot, pavarësisht se sensi orientues politik ndryshon kahun në mënyrë radikale. Debati i madh ndërkombëtar, që ka të bëjë me vendosjen e mburojës antiraketore të SHBA-së në Evropën Lindore, ka përfolur së fundmi Ballkanin, si destinacion të mundshëm. “Sipas të gjitha gjasave, do të jetë Kosova. Nëse përmendim Shqipërinë apo Serbinë, duket si ide e vagët, por jo e pamundur”, - shkruan revista e njohur ruse “Strategic Culture Foundation”. Dalja e emrit të Shqipërisë, në kontekstin e fërkimeve politiko-ushtarake ruso-amerikane, nga një analist i njohur, si Pyotr Iskenderov i kanalit zyrtar të Moskës, “Zëri i Rusisë”, përbën një lajm të paneglizhueshëm, që flet se diskutimi i ekspertëve, lidhur me çështjen në fjalë, ka prekur edhe rajonin ballkanik. Për më shumë, që revista ruse e lidh konkluzionin e vet me zyrtarizimin tanimë të vendimit për ndryshim të destinacionit çek dhe polak, i cili nuk përcakton heqjen dorë të SHBA-së nga sistemi raketor, por bërjen e tij një opsion më elastik. Prishja e qetësisë ruse, me “provokimin” mu në kufirin historik polako–rus, është korrektuar, sipas revistës në fjalë, me një zbutje politike, duke i hedhur sytë drejt një rajoni më pak të nxehtë për Moskën, si Ballkani. Vendosja e gishtit mbi Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë gjen argumentin e vet që, sipas të gjitha gjasave, sinjalizon për Moskën një ndryshim kursi thuajse radikal edhe nga Beogradi, i cili deri më tani nuk është kursyer në diplomacinë “rusofile”. “Në Serbi, ministri i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, njeri shumë i afërt me Presidentin Boris Tadic, bëri një deklaratë skandaloze në favor të hyrjes së Serbisë në NATO. Në respekt të kësaj kërkese, lokalizimi i një baze ushtarake në Serbi mund të jetë një kompensim ndaj Beogradit për humbjen e Kosovës. Por kjo do të ndihmojë që Rusia të nxirret nga Serbia”, - shkruan analisti rus. Me arsyet serbe dhe shqiptare apo kosovare të sistemit amerikan, Iskenderov, në fakt, përcjell shqetësimin e Moskës për këtë lojë të re që po zhvillohet në Ballkan. Politikisht, vendimi i mundshëm, për një lokalizim në Shqipëri, bazohet te gatishmëria e Kryeministrit Berisha dhe te filoamerkanizmi i shqiptarëve. Më me rëndësi është të kuptohet se rusët po ndihen “të kërcënuar” në Ballkan në tri pika, që janë Shqipëria, Kosova dhe Serbia. Përjashtimi prej vetë atyre i shteteve të tjera nënkupton se realiteti i ri gjeopolitik sërish thërret në skenën e ngjarjeve dy kombet më antagoniste në Ballkan.

KOMENTET E FUNDIT: