“Historia 12″, matura në protestë
U ka mjaftuar vetëm një kërkesë, e bërë nga disa të rritur, që pretendojnë se janë përfaqësues të “Rinisë Aktive”, për të bojkotuar mësimin dhe për t’u mbledhur në një protestë kundër tekstit të Historisë së vitit 12. Nën presionin e drejtuesve të shkollës, organizimi ka dështuar, kurse policia ka marrë në pyetje iniciatorët e protestës. Kjo ka ndodhur në shkollën “A. Z. Çajupi” në Tiranës. Lëvizja “Rini aktive” është denoncuar nga drejtoresha e shkollës së mesme “A. Z. Çajupi” në kryeqytet, pasi është cilësuar prej saj si nxitëse dhe organizatore e rebelimit të nxënësve të kësaj shkolle. Brime policore bëjnë me dijeni se nxënësit e përfshirë në protestë po merren në pyetje, për të sqaruar rrethanat e saj. E organizuar për të kundërshtuar tekstin e ri të Historisë 12, protesta mblodhi mjaft nxënës, të cilët, nën presionin e bojkotimit të mësimit, kanë ngritur zërin dhe kanë protestuar ndaj ndryshimeve të reja të këtij teksti. E ndërsa drejtuesit e shkollës ushtruan presion, që nxënësit të futeshin patjetër në mësim, ata janë takuar edhe nga deputeti socialist Ilir Gjoni, i cili ka qenë në anën e nxënësve gjatë protestës. Në denoncimin e drejtuesve të kësaj shkolle, ndaj lëvizjes “Rini aktive”, thuhet se ky akt përbën një turp për trupën arsimore. Nxënësit e shkollës së mesme “A. Z. Çajupi” në kryeqytet kanë kundërshtuar tekstin e ri të Historisë 12, pikërisht në orarin kur duhej të fillonin mësimin. Nën presionin e bojkotimit të mësimit, ata kanë ngritur zërin dhe kanë protestuar, duke thënë se nuk mund të mësonin ato çka u referoheshin në tekstin e ri të hartuar për këtë vit, i cili, sipas tyre, përmbante ndryshime politike të papranueshme. Për ta parandaluar këtë protestë, e cila organizohej nga shoqata rinore dhe nxënësit, kanë ndërhyrë edhe forcat e policisë. Gjithashtu, thuhet se ka qenë edhe presioni i drejtuesve të shkollës “A. Z. Çajupi”, për ta ndaluar këtë rebelim të nxënësve, i cili është mbyllur më pas me ndërprerjen e protestës dhe rifutje e nxënësve në mjediset e shkollës, për të vijuar mësimin në kushte normale. “Pesë të rinj, përfaqësues të OJQ-ve, u kërkuan nxënësve ta braktisin shkollën dhe të dalin me ta në protestë kundër problemeve që ka teksti. Ne nuk jemi njoftuar dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga ana e nxënësve për tekstin. Së dyti, nuk jemi njoftuar për një protestë të tillë, që mund të organizohej përpara institucionit tonë. Së treti, nuk është ligjore që t’u bëhet thirrje nxënësve të braktisin shkollën e të dalin në protestë”, - deklaroi drejtoresha e shkollës, Albana Kosovrasti. Deputeti socialist Ilir Gjoni tha se protesta ishte brenda rregullave, dhe se i kishte kërkuar drejtoreshës së shkollës ta tërhiqte denoncimin. “Teksti i Historisë 12 është i turpshëm, si ato të neodiktaturës. I kërkova drejtorisë së shkollës ta tërheqë denoncimin, pasi nuk e nderon trupën arsimore”, - tha Gjoni.

KOMENTET E FUNDIT: