Topi: Historia jo me emocione politike
Pas zhurmës politike dhe akademiko-mediatike,të krijuar rreth tezave të parashtruara nga Enciklopedia maqedonase,ka mbërritur edhe një reagim i Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Ky i fundit ka shfrytëzuar simbolikën e veçantë dhe domethënëse të diplomimit të brezit të tretë të studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, për të përcjellë disa mesazhe që mund të shihen edhe si qëndrim zyrtar i institucionit që ai përfaqëson. Ndërhyrja e Topit ka qenë gjithsesi më gjithëpërfshirëse dhe nuk është ndalur posaçërisht në debatin e provokuar nga Enciklopedia dhe për të cilën duket se politika e Tiranës zyrtare po artikulon tezën e një sponsorizimi të qëllimtë. “Unë… kam rastin që, edhe njëherë këtu t’i rikthehem asaj ngjarjeje që tronditi situatën e shoqërisë në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Kosovë, çështja e interpretimit të historisë. Padyshim që ka elemente, të cilat nuk vijnë nga lajthitje të akademikëve, absolutisht.Këto vijnë si pasojë e një bashkëpunimi patologjik të segmenteve të caktuara të politikës me qarqe akademike dhe këtu politika…”,- deklaroi Presidenti shqiptar. Gradualisht, dhe në mënyrë të butë, problemi në fjalë ka kaluar në një rrafsh politik, i cili në Shqipëri po përforcon idenë se prapavija e këtij dokumenti, më shumë politik sesa akademik,mban në sirtar zbatimin e disa skenarëve tipikë ballkanikë. Sikurse pritej, kundërpërgjigjja e Tiranës, e posaçërisht e Presidentit, ka konsistuar në një riafirmim verbal të statusit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon, si komunitet që sheh nga Perëndimi dhe Integrimi.Ky qëndrim afishon kështu një deklaratë disatancuese, duke bërë me dije se kontributi shqiptar në këta skenarë nuk ka rolin e protagonistit të parë. “Duhet reaguar me vëmendje kundrejt atyre që punojnë në zyrat ende me pluhur të ish-Jugosllavisë komuniste, që kanë harruar se Shqipëria sot është një vend i NATO-s, është një vend, i cili ka bërë hapa të dukshme në rrugën e integrimit në BE, e që është një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit në rajon”, - tha Topi. Kështu, përkundrejt prononcimit thjesht shtetëror dhe për pasojë kombëtar,politika shqiptare ka vepruar faktikisht ndryshe, duke preferuar të flasë me zërin e një anëtari legal të komunitetit ndërkombëtar.Jashtë kontekstit nacional,por edhe duke i qëndruar larg koniunkturës së partive shqiptare, në problemin maqedonas, Tirana zyrtare ka bërë minimumin, duke u ndjerë në këtë provokacion. Ai riaktualizon me më shumë forcë faktin se skenari i ndarjes së Maqedonisë dhe, për pasojë, ripërcaktimi i kufijve të Ballkanit, është një tezë, për të cilën ende ka financime dhe mbështetje politike të madhe.

KOMENTET E FUNDIT: