Raporti dhe drejtësia e shkallmuar
Plator Nesturi - Drejtësia mbetet Thembra e Akilit e reformave në Shqipëri. Kjo paradigmë, që është kthyer në normalitet, sa herë që ndërkombëtarët vlerësojnë ecurinë e hapave të demokratizimit të vendit tonë, u theksua sërish edhe në Progres–Raportin e BE-së, të botuar së fundmi. Midis të metave të shumta bashkëshoqëruese të shoqërisë shqiptare, moseficenca dhe mangësitë e sistemit të drejtësisë, sidoqoftë, përbën pjesën më problematike. Pasi, në këndvështrimin e një shteti funksional demokratik, është drejtësia ajo hallkë prej nga duhet të mbështeten të gjitha reformat e tjera. Në të kundërt, nëse ky bazament nuk funksionon, çdo nismë apo ide reformatore në fushat e tjera të shtetit është e destinuar të dështojë. Çështja e korrupsionit në drejtësi, si dhe paaftësia e shfaqur në gjykimet e tejzgjatura dhe në vendimet e dyshimta - për raste të ndryshme - kanë qenë në fokus të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Me këtë rast, janë promovuar masa energjike, por që gjithmonë kanë mbetur në mes të rrugës. Madje, u propozua që të mund të përgjoheshin edhe prokurorët e gjykatës, për të kapur apo për të shmangur rastet e korrupsionit. Të gjitha këto forma drastike, pavarësisht se cenojnë të drejtat e njeriut dhe të vetë pushtetit gjyqësor, dëshmojnë, në fakt, pikën kritike të besueshmërisë së drejtësisë shqiptare. Kur mungon edhe besimi në këto vlera, atëherë çështja që shtrohet është se cila duhet të jetë rruga shndërruese e sistemit juridik? Në pikëvështrimin e opinionit të përgjithshëm, kryerja e reformës në sistemin gjyqësor lidhet, së pari, me përmasat e korrupsionit, çka bën që kandari i drejtësisë shqiptare të jetë i zhbalancuar. Kuadri panoramik i këtij argumentimi mbështetet edhe nga raportet shqetësuese të shkallës së korrupsionit, si ai i kryer nga Transparency International, ku Shqipëria renditet ndër vendet e para dhe sistemi i drejtësisë vjen i dyti, pas atij të shëndetësisë, për nga graviteti i këtij fenomeni. Sidoqoftë, kjo mënyrë e të parit, për kryerjen e reformës së gjyqësorit, kufizohet vetëm në marrëdhëniet e komprometuara të këtij sistemi me qytetarin, por, a duhet të jetë kjo arsyeja e vetme e reformës? Natyrisht, drejtësia kryesisht është edhe shërbim ndaj qytetarit, dhënie e të drejtës për të, si dhe mbrojtje e kësaj të drejte. Është e kuptueshme se marrëdhënia qytetar-drejtësi është kompromentuar rëndë. Të drejtën e fiton kush paguan më shumë, ndërsa vendimet gjyqësore ndikojnë jo vetëm për shtetasit e thjeshtë, por edhe ndaj komuniteteve më të gjera. Një javë më parë, një vrasës u dënua vetëm me 4 vite burg, sepse pranoi proces të përshpejtuar gjykimi, ndërsa shoqëria ndihet e kërcënuar nga këto vendime të buta. Në Kukës, gjykata i jep dikujt të drejtën e pronësisë të një segmenti rruge, e cila bllokohet menjëherë, kur njëmijë persona nga fshatrat përreth humbasin lidhjen e vetme automobilistike. Raste të tilla janë të pafund, por thjeshtëzimi i çështjes, për kryerjen e reformës në drejtësi, si mënyrë për të luftuar korrupsionin, është si ta kapësh këtë problem nga bishti. Reforma në drejtësi, siç është bërë tashmë e qartë, është edhe një nga detyrimet e vendit tonë përballë organizmave ndërkombëtare, duke e ndërvarur procesin e integrimit në BE. Zbatimi i këtyre kushteve, nga rezultati i të cilave do t’i vihet nota Shqipërisë, për aplikimin e saj, nuk shihet ngushtësisht në marrëdhëniet qytetar-drejtësi. E thënë më qartë, organizmat ndërkombëtare nuk mund të imponojnë reformë në sistem, thjesht pse shtetasit shqiptarë duhet t’ua mbushin xhepin gjyqtarëve, për të fituar të drejtën e tyre. Reforma, mbi të gjitha, duhet për ta shpëtuar drejtësinë nga varësia e politikës, pastaj, mbi këtë bazë, njerëzit e ligjit t’i kenë duart e lira, për të goditur korrupsionin, krimin dhe trafikun e organizuar, që jo rrallë kanë qenë të mbështetur nga segmente të politikës. Ndaj, përmirësimi i marrëdhënieve të drejtësisë me qytetarët është derivat i këtyre zgjidhjeve, pasi gjyqtarët ia lejojnë vetes luksin e korrupsionit të tyre vetëm kur janë të mbështetur e të garantuar nga politika. Ekipet e të dyja kaheve politike dhe krerët e tyre, si aktorë kryesorë në procesin e reformës në drejtësi, kanë padyshim rolin e tyre; ballafaqimi i dy kampeve, mazhorancë–opozitë, si në rastin e një procesi konsensual ashtu edhe kur ato përplasen ashpër me njëri-tjetrin, i shërbejnë sidoqoftë të njëjtit qëllim: moslejimin e vënies nën kontroll, nga ana e kundërshtarit, të sistemit gjyqësor, çka siguron, pavarësisht dëshirave të tyre, pavarësinë e sistemit. Por beteja për pavarësinë e organeve të drejtësisë duhet të ketë, në radhë të parë, si luftëtarë, juristët, teknicienët dhe drejtuesit e institucioneve. Por, deri më tani ka pasur varfëri idesh apo frikë, se mos po e shkelin në kallo politikën. Dhe, përderisa juristët tanë mbeten të varur e të frikur nga segmentet e politikës, pavarësimi i gjyqësorit mbetet ende një utopi. Ndërsa ndërkombëtarët, do ta kenë drejtësinë shqiptare gjithmonë në listën e zezë.

KOMENTET E FUNDIT: