FMN, vëzhgim buxhetit të vitit 2010
Një mision i FMN-së do të rikthehet në Tiranë, por këtë herë jo me qëndrim të përhershëm, por për atë të vëzhgimit nga afër të hartimit të projektbuxhetit të vitit 2010. Nën statusin e vëzhguesit, përfaqësuesit e FMN-së vijnë në Tiranë për të monitoruar nga afër parametrat kryesore ekonomike. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Ministrisë së Financave. Misioni do të zhvillojë takime me autoritete të larta në vend, si me ministrin e Financave dhe me përfaqësues të Komisionit parlamentar të Ekonomisë. Qeveria shqiptare nuk e rinovoi marrëveshjen me FMN-në, duke i dhënë fund qëndrimit të saj në Shqipëri. Kabineti qeveritar e argumentoi mbylljen e misionit me faktin se ekonomia shqiptare kaloi në një stad të ri zhvillimi, që garanton tashmë qëndrueshmëri financiare. Misioni i ri FMN-së pritet të certifikojë buxhetin dhe të hartojë edhe raportin përkatës. Në daljen e fundit, FMN zbehu shpresat e qeverisë, kur deklaroi se kriza kishte prekur ekonominë shqiptare dhe rritja ekonomike nuk mund të ishte më shumë se 1%.Diskutimi për hartimin e projektbuxhetit 2010 rikthen në Tiranë ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas vizitës së fundit në muajin prill. Ndryshe nga herët e tjera, FMN vjen me status tjetër, atë të vëzhguesit mbi parametrat ekonomikë të vendit. Aktualisht, raporti mes Shqipërisë dhe Fondit Monetar është në kuadër të marrëveshjes IV, që konsiston në vlerësuesin e gjendjes ekonomike dhe më pas në certifikimin. Grupi i punës do të kryejë një sërë takimesh, duke nisur me ministrin e Financave dhe më pas me Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Nuk përjashtohet mundësia e zhvillimit të një vizite edhe në selinë e Partisë Socialiste, për të mësuar nga afër pretendimet e opozitës rreth projektbuxhetit 2010. FMN e mbylli misionin në janar 2009, duke u dhënë fund marrëveshjeve të financimit, pasi ekonomia shqiptare kaloi në një stad të ri zhvillimi, që garantonte qëndrueshmëri financiare. Pas mbylljes së marrëveshjes së mëparshme PRGF, Fondi nuk mund të kushtëzojë më qeverinë shqiptare te financimet.Si çdo vit, kur diskutohet projektbuxheti, në Tiranë mbërrin misioni i FMN-së, ku palët nisin shqyrtimin dhe vlerësimin e situatës ekonomike në vend. Për herë të parë, FMN-ja nuk do të vendosë kushte mbi parametrat e shpenzimeve dhe të sistemit fiskal, pasi ndaj saj nuk marrim më financime. Ajo çka po ndodh aktualisht është certifikimi i buxhetit që Fondi do të kryejë, për ta raportuar në Uashington. Çdo ecuri e mëtejshme do të varet nga vlerësimi që ekipi i Fondit do t‘i japë projektbuxhetit, duke nisur, së pari, nga niveli i borxhit dhe llogarisë korrente. Madje, parashikohet që kritikat e FMN-së të jenë më direkt se herët e tjera, pasi nuk kanë më “konflikt interesi” me qeverinë shqiptare. Ardhja e tyre në Tiranë parashikohet të jetë sot, me një seri takimesh, ku në plan të parë do të jetë Ministria e Financave dhe kreu i saj, Ridvan Bode. Dalja e fundit në publik e shefave të Fondit Monetar solli jo pak reagime nga drejtuesit e qeverisë, opozitës dhe opinioni i gjerë. Shkaku ishte parashikimi që i bëhej rritjes ekonomike për vitin 2009, duke u nisur nga efektet e mundshme të krizës. Parashikimi i parë tronditi qeverinë, pasi u tha që rritja ekonomike nuk do të kalojë 1 për qind, për shkak se kriza kishte prekur indirekt sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Parashikimi i dytë, i bërë pak kohë më parë, e vlerësonte Shqipërinë me një rritje ekonomike deri në 0.7 për qind, që për FMN-në konsiderohet pozitive, nëse merret parasysh situata e krijuar te vendet e Ballkanit. Ndërsa për qeverinë është e paimagjinueshme një nivel i tillë ekonomik, kur plani i saj është për jo më poshtë se 5.5 për qind. Në fokus të vëzhgimit, Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ketë stabilitetin makroekonomik, konkretisht deficitin buxhetor, shpenzimet, borxhin publik dhe taksat.

KOMENTET E FUNDIT: