Imuniteti, jo strehë për të akuzuarit
Liderët dhe zyrtarët shqiptarë duhet të veprojnë me integritet, në interes të publikut, pa u fshehur pas imunitetit apo masave të sigurisë që u cakton ligji. Një fakt të tillë e ka cilësuar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Uithers, gjatë fjalimit të mbajtur në një konferencë për integritetin e drejtuesve, e para e këtij lloji e organizuar në vendin tonë. Duke marrë në mbrojtje deklaratat e Kryeministrit Berisha, të hedhura para pak kohësh, që imuniteti të mos dalë në mbrojtje të zyrtarëve të korruptuar, ai tha se “imuniteti nuk duhet të krijojë strehë për ata që abuzojnë dhe të mbrojë ata që janë të paaftë. Personat që janë emëruar të drejtojnë duhet të veprojnë me integritet, pasi vendimet e tyre, qofshin të drejtpërdrejta apo jo, ndikojnë në jetën e qytetarëve”, - tha ai, lidhur me një fakt të tillë. Në vijim të një qëndrimi të tillë ai ka përmendur më pas edhe deklaratën e bërë para pak ditësh para Komitetit të Helsinkit nga zv. sekretari për çështjet evropiane në Departamentin Amerikan, Xhons. “Ne vazhdojmë të inkurajojmë qeverinë për të vazhduar të rrisë mbështetjen e saj për institucione të pavarura gjyqësore dhe atë të prokurorisë, si dhe të heqjes së imunitetit parlamentar në rastet përkatëse”, - ka thënë konkretisht Xhons. Në vijim të deklaratës së tij, Uithers shtoi se kjo shprehje e tij nënkuptonte që imuniteti nuk duhet të sigurojë strehë për ata që përballen me masa ligjore dhe në ndjekje penale. “Nuk duhet të jetë edhe një mundësi për të mbrojtur atë që është fajtor dhe për të mbajtur ata persona në pozita drejtuese”, - nënvizoi ambasadori amerikan Uhithers, lidhur me një fakt të tillë. Duke cituar përkatësisht sistemin gjyqësor dhe atë politik, Uithers tha se imuniteti nuk duhet të minojë perceptimin e publikut, pikërisht për këta dy sektorë të jetës në vend, në të cilët gjenden konkretisht edhe drejtuesit kryesorë të tij, që ngarkohen me përgjegjësitë më të mëdha para këtij publiku. Pa cituar emra konkretë, duket se zyrtari i lartë amerikan, i pranishëm në Shqipëri, i ka bërë këto deklarata në një kohë kur çështja e imunitetit të zyrtarëve është kthyer në temën e ditës për çështje të rëndësishme, siç ka qenë diskutimi i imunitetit të ministrit Fatmir Mediu, i cili i shpëtoi ndjekjes penale, falë imunitetit të marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Por një gjë e tillë ndodhi para pak kohësh edhe për çështjen e abuzimeve me fondet e rrugës Durrës-Kukës, për të cilën u akuzua ministri Lulëzim Basha.

KOMENTET E FUNDIT: