Handikapi i politikës dhe vizat tona
Nga Plator Nesturi - Pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, organizmat ndërkombëtare, që monitoruan procesin elektoral në vend, deklaruan haptazi se Shqipëria bëri një hap fals në rrugën e saj të integrimit. Ky vlerësim, i bërë vetëm disa muaj pasi Kryeministri Berisha paraqiti kandidaturën për në BE, në gjykimin e përgjithshëm të opinionit publik u është veshur mangësive të theksuara të klasës politike, për realizimin e zgjedhjeve të lira në përputhje me standardet demokratike. Kjo, e përkthyer ndryshe, nënkupton se Shqipëria, në rrugën e saj të proceseve integruese çalon pikërisht te zgjedhjet, që janë larg të qenit të lira e të ndershme, porse, në aspekte të tjera nuk ke se çfarë t’i kërkosh më tepër. Sikur çështja të mbetej vetëm me kaq, pra duke ia vënë fajin mentalitetit të ndërzyer të shqiptarëve, kur u duhet të zgjedhin midis një bashkëqytetari të djathtë dhe një tjetri të majtë, mbase qeverisë dhe institucioneve të tjera, që janë të ngarkuara me përqasjen e Shqipërisë me BE-në, nuk u duhet rënë në qafë për këtë cen kombëtar. Dhe, në fakt, në të gjitha deklaratat zyrtare, duke filluar nga Kryeministri Berisha e deri te vartësit më periferikë të tij, vihet në dukje se ekzekutivit nuk i mungon vullneti politik për të vijuar në rrugën e përafrimit me bashkësinë evropiane. Ky është detaj që nuk duhet mohuar dhe, aq më pak, duhet nënvleftësuar, pavarësisht se në vëmendjen e ndërkombëtarëve, sa herë ceket “tema Albania”, nuk merren shumë për bazë deklaratat e shtetarëve dhe politikanëve tanë sesa hapat reale e konkrete që ndërmerr qeveria në përmbushjen e detyrimeve të saj karshi BE-së. Ndaj, më tepër sesa merren me monitorimin e deklaratave optimiste e dorëlëshuara të zyrtarëve tanë, ata monitorojnë reformat e kryera dhe efikasitetin e tyre. A jemi pra aq të vetëdijshëm sa, me gjithë konfliktet politike që vijojnë pareshtur e në mënyrë të rëndomtë, si dhe një mori sajesash të tjera, me të cilat qeveria na servir të shtyjmë kohën, jemi aq të qetë se, sidoqoftë, rruga drejt Evropës është e sigurt dhe e garantuar? Në media së fundmi u bë me dije se, ndërsa diskutohej kandidatura e Shqipërisë në BE dhe procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e saj, shtete të ndryshme evropiane vërenin se qeveria e zotit Berisha është tepër larg me realizimin e angazhimeve që kish marrë përsipër ndaj Brukselit. Më e pakta e gjithë kësaj meseleje është se tregon në sytë e ndërkombëtarëve një mungesë serioziteti nga ana e qeverisë shqiptare, ndërkohë që, po t’i shtosh problemin e zgjedhjeve dhe mungesën totale të perspektivës në zbatimin e reformave, ky vend do të marrë padyshim cilësimin e “zhvillimit të vonuar”, për shkak të paaftësisë së tij qeverisëse. Natyrisht, për shqiptarin, që e ka mbajtur veten përherë në shekuj si inteligjent dhe dinamik, nuk do t’i pëlqente hiç ta quanin si “handikap demokratik”, ndaj llogaritë së pari do t’ua kërkojë drejtuesve të tij, baballarëve të kombit, që ia kanë fryrë kokën gjatë çdo fushate zgjedhore e i kanë marrë përsipër që të ndihet barabar me gjermanin, francezin, italianin e grekun, duke e bërë pjesë e Evropës. Është deklaruar me të madhe se viti 2010 merr një rëndësi të madhe, për faktin se më së fundmi shqiptarët do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave dhe do të ndihen jo më të izoluar e të përçmuar. Por mungesa e besimit të ndërkombëtarëve tek ecuria jonë europianiste vë në dyshim gjithçka, çka nuk do të shihet vetëm si handikap të politikës së jashtme, por si dështim të qeverisë dhe të gjithë klasës sonë politike. Ndërsa sot opozita ka zgjedhur të ndjekë rrugën e bojkotit parlamentar, për të ushtruar presion për çështjen e transparencës në zgjedhje dhe të fletëve të votimit në kuti, mbart me vete edhe rrezikun të jetë pjesë e dështimit të qeverisë për liberalizimin e vizave dhe të reformave të pakryera. Kjo, sepse maxhoranca mund të krijojë alibinë se reformat dështuan pikërisht nga mospjesëmarrja e opozitës socialiste në Parlament, duke tentuar, në këtë rast, ndarjen e barabartë të përgjegjësisë. Foltorja e Parlamentit duhet shfrytëzuar, jo thjesht për të ruajtur vlerën e institucionit, të betejës politike dhe të bashkëpronësisë së reformave që priten, por, njëkohësisht, edhe për të theksuar paaftësinë e Berishës dhe të ekipit të tij në ecurinë e proceseve demokratike, që duhet të na bëjnë pjesë të Evropës. Në fund të fundit, nuk mund të vijohet sërish në mënyrë lineare në të njëjtën rrugë që s’na çon gjëkundi dhe ku e pësojnë të gjithë, duke nisur nga qytetari i thjeshtë, që do të vijojë në radhë para ambasadave për vizë, dhe deri tek interesi i përgjithshëm kombëtar.

KOMENTET E FUNDIT: