Papandreu: Ballkani në BE më 2014
Skerdilajd Zaimi - Greqia “socialiste” bën prezantimin e parë ndërkombëtar, me një propozim që mund të quhet në optikën e përbashkët si një diplomaci filoballkanike. Kështu, ideja e hedhur nga Kryeministri i ri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Jorgos Papandreu, në takimin e Stambollit, është materializuar në Samitin e Brukselit, teksa Athina zyrtare ka prezantuar kërkesën për anëtarësimin e plotë të Ballkanit në Bashkimin Evropian në vitin 2014. Vetë fjalët e Papandreut, jo vetëm që flasin për një qasje të qëndrueshme drejt këtij objektivi, por edhe për një ridimensionim të llogaritjeve strategjike drejt rajonit tonë. “Kishim rastin të paraqesim një iniciativë të re, një vizion të ri për integrimin evropian të rajonit. Duke marrë një objektiv simbolik, por edhe të guximshëm, për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2014, domethënë 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore në Sarajevë”, - tha Papandreu. Simbolizmi është i kapshëm: lufta nisi në Ballkan, për t’u mbyllur me ciklin historik të riintegrimit shpirtëror të tij në një Evropë që ende është në kërkim të identitetit dhe të kufijve të vet. Një kontribut në përgjakjen e saj rivjen sot me ambicien për një kontribut thelbësor në natyralizimin e kontinentit, i cili nuk mund të neglizhojë më thuajse pjesën dominuese në pjesën lindore të Mesdheut. Në këtë kuadër, propozimi i Papandreut, nëse miratohet, zgjidh dilemat e pafundme të integrimit, i cili është e qartë se, nëse vazhdon me parimet e Standardeve, duket se nuk do të mbërrijë ndonjëherë me të vërtetë në këto anë. Por ka edhe një moment, si të thuash “të brendshëm”, që e bën propozimin grek tejet emancipues, në një farë mënyre. Ky moment lidhet me ekzistencën në axhendën greke të problemeve të ndryshme me fqinjët e vet, çka nënkupton se ideja e anëtarësimit hap parantezën e një zbutjeje apo tolerimi reciprok në këtë rast. Ajo kërkon me këtë rast dy palë që lëshojnë pè në drejtim të problemeve të së shkuarës, një sugjerim që Papandreu e bëri që në takimin e Stambollit. Adresimi shqiptar i kësaj qasjeje, në fakt, nuk sjell me vete shumë ngarkesa; Shqipëria ka një kuadër kushtetues të qartë për minoritetet dhe, për më shumë, ajo i ka lejuar vetes të mos marrë asnjë pozicion aktiv, për sa u përket çështjeve të ndryshme në rajon. Në këtë kontekst, Shqipëria shfaqet si përfituese, edhe pse problematika e saj përbën një dosje unike.

KOMENTET E FUNDIT: