Bode: 2010, borxh 50 miliardë lekë
Qeveria ka parashikuar një deficit prej 50 miliardë lekësh për vitin e ardhshëm, që do të financohet përmes marrjes së borxheve, por në kushtet aktuale të tregut në Shqipëri, plotësimi i një kërkesë të tillë duket i pamundur, duke e detyruar atë të kërkojë financim në tregun ndërkombëtar. Ministria e Financave pretendon se me buxhetin 2010 do të ulet ndjeshëm deficiti, krahasuar me vitet e kaluara. “Deficiti i vitit të ardhshëm do të jetë sa 3.9 për qind e PBB-së dhe borxhi publik mendohet të ulet edhe me të paktën 1 pikë përqindje ndaj PBB”, - tha ministri i Financave, Ridvan Bode, në Kuvend, gjatë diskutimit të buxhetit 2010. Nga të dhënat e ofruara prej ministrisë del se stoku i borxhit për 2010-n do të rritet me të paktën 70 miliardë lekë, ku konkretisht për mbështetjen buxhetore do të merren hua rreth 50 miliardë lekë. Sipas kreut të Financave, huaja mund të merret nga donatorët e huaj përmes kredive, duke shmangur presionet e tregut bankar vendas. Sa i takon rezervës për çdo pa parashikim, janë vendosur në dispozicion rreth 200 milionë dollarë, të gatshme për 2010-n.
“Shqipëria ka tregues financiare, të cilët i lejojnë që të marrë më shumë borxh se ç’ka marrë deri më tani”, - është shprehur gjatë punimeve të Komisionit të Ekonomisë ish-zëvendësministri i Financave, Florion Mima, në lidhje me debatin për rritjen e borxhit të jashtëm. Sipas tij, deri më tani qeveria ka punuar nën presionin e mos rritjes së tij, ndërkohë që vendi ka nevojë për financime të mëtejshme dhe marrja e një borxhi më të madh është i përballueshëm. “Nuk duhet të sakrifikojë vetëm brezi ynë për investime që do të trashëgohen edhe në breza të tjera. Një pjesë të borxhit ta shlyejmë ne, ndërsa pjesën tjetër trashëgimtarët tanë, të cilët do t’i gëzojnë edhe investimet”, - tha Mima. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar se edhe gjatë vitit të ardhshëm qeveria do të marrë borxh për financimin e investimeve publike. Por, ndryshe nga vitit 2009, ku borxhi u mor me kosto të lartë, vitin e ardhshëm, sipas tij, pritet të ketë norma interesi më të ulëta. “Shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar, për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë. Ministria e Financave ka nisur negociatat me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Botërore, që projektet madhore të infrastrukturës të mund udhëhiqen nga këta donatorë”, - tha Bode. Ministri i Financave e vuri theksin edhe te rritja e investimeve publike, të cilat kapin nivelin e 8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas Bodes, kriza preku një sërë vendesh të rajonit dhe Evropës, por jo Shqipërinë, pasi qeveria i mori të gjitha masat, duke ulur me 25 për qind kontributet dhe rritur pagat e pensionet, përfshi rritjen e investimeve. Ministri, gjatë fjalës në Parlament, përmendi planin e rritjes së pagave dhe pensioneve gjatë vitit që vjen. Kështu, pagat parashikohen të rriten nga 1 korriku me 4 deri në 10 për qind të nivelit ekzistues, me një efekt vjetor prej rreth 6 miliardë lekësh. Ndërsa pensionet nga 1 korriku 2010 do të rriten me 7 deri në 15 për qind nga niveli ekzistues, me një efekt vjetor prej 5.8 miliardë lekësh. Duke i ndarë në sektorë të ndryshëm, Bode theksoi buxhetin e shëndetësisë dhe arsimit. “Fondet për shëndetësinë rriten me 20 për qind, në krahasim me vitin 2009, dhe investimet me 56 për qind në këtë sektor. Ndërsa në arsimin publik respektivisht rriten me 12 për qind dhe 32 për qind, në krahasim me vitin në vijim”, - tha ministri i Financave. Buxheti i vitit të ardhshëm propozohet të jetë në shumën e 411 miliardë lekëve, ose sa 32 për qind e PBB-së.

KOMENTET E FUNDIT: