HIV, shuhen 2 nga 21 minorenë
Ndërsa virusi i AIDS-it në vendin tonë është anashkaluar dhe pak zhurmë bëhet për të, specialistët thonë se ai po rritet me shpejtësi. Numri i të prekurve është më i lartë nga ai që bëhet publik zyrtarisht. Deri më tani janë konstatuar vetëm 379 persona të infektuar nga HIV/AIDS. Por specialistët vënë në dukje se numri i personave të infektuar po rritet vit pas viti. Sepse, vetëm për këtë vit janë raportuar 55 raste të reja me HIV, ndërkohë që vitet e mëparshme numri ka qenë më i ulët. Mendohet se ka një numër shumë të madh të rasteve të padiagnostikuara. Kështu, Dita Botërore e AIDS-it, e ashtuquajtura ‘sëmundja e shekullit’, e gjen Shqipërinë me një nivel në rritje të prekjes së popullatës prej saj. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti është konstatuar një rritje me 10 persona i atyre që kanë rezultuar të infektuar me sëmundjen vdekjeprurëse, AIDS. Përgjithësisht, rreth 60% të rasteve infeksionin e kanë marrë jashtë vendit, kurse pjesa tjetër brenda. Autoritetet thonë se problem mbetet pamjaftueshmëria që ka vendi ynë për gjak, gjë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e tij, çka do të thotë se, për aq kohë sa numri i dhuruesve vullnetarë do të jetë i ulët, edhe gjaku është i pasigurt për qytetarët. Në një raport të Kombeve të Bashkuara paralajmërohet se Evropa Lindore dhe Azia Qendrore janë të vetmet rajone në botë, ku shkalla e përhapjes së HIV-it ende po vazhdon të rritet. Raporti thotë se rreth 110 mijë njerëz tjerë janë infektuar me HIV në vitin 2008, duke e çuar në 1.5 milionë numrin e përgjithshëm në Evropën Lindore dhe Azi, krahasuar me 900 mijë sa ishte në vitin 2001. Në Tiranë, me rastin e Ditës Botërore kundër HIV/AIDS-it, u organizua një panair me karakter informues dhe edukues nga disa shoqata, pranë hotel “Tirana”. Të pranishëm në këtë takim ishin ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, si dhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, të cilët dhanë edhe deklaratat e tyre, në lidhje me këtë sëmundje në vend. Dy persona janë fëmijë të vegjël, mes atyre që janë prekur me virusin e SIDA-s këtë vit. Konfirmimi u bë dje nga Shoqata e Personave të Prekur me HIV/AIDS në Shqipëri, e mbledhur me rastin e Ditës Botërore të luftës kundër HIV/AIDS. Sipas këtyre të dhënave, në Shqipëri janë 379 persona të prekur me sëmundjen e pashërueshme, mes të cilëve 21 janë fëmijë, 2 raste prej të cilëve u mësuan vetëm brenda këtij viti. Mësohet se një numër i lartë i fëmijëve të prekur kanë lindur me sëmundjen nga prindërit e prekur nga virusi. Zyrtarisht, mësohet se brenda vitit 2009 nga SIDA në vendin tonë kanë gjetur vdekjen vetëm 2 persona, dhe ata ishin fëmijë të vegjël. Nga të prekurit brenda këtij viti rezulton se dy prej tyre janë në familje, që do të thotë se të prekur janë babai, nëna dhe fëmija.
Shoqata: Mjekët nuk janë korrektë
Ndërsa dje është folur për këtë sëmundje që, me sa duket, po rritet me shpejtësi, si dhe peripecitë që shkakton ajo, anëtarët e shoqatës kanë ngritur një tjetër shqetësim. Ata thonë se shqetësues për të infektuarit me virus është jo korrektësia e mjekëve. “Përderisa vazhdojmë të kemi raste të vdekjeve, për shkak të AIDS, d.m.th. që AIDS është i fuqishëm ndaj sistemi shëndetësor shqiptar. Probleme ka në trajtimin me medikamente në ndërprerjet e herëpashershme krijohen probleme me trajtimin dhe sëmundja shfaq rezistencë ndaj ilaçeve”, - foli dje për gazetarët kryetarja e Shoqatës së të Prekurve me HIV/AIDS në vendin tonë. Sipas saj, nga mungesa e kujdesit nga stafi mjekësor ka pasur edhe humbje jete. “Cilësia e shërbimit nuk është e normave të duhura. Pacientët trajtohen në mënyrë jo korrekte dhe stigma ndaj nesh ekziston edhe në stafin mjekësor. Kemi pasur raste kur, në mungesë të kujdesit ka pasur edhe humbje jete. Pra, mjekësia shqiptare është ende e papërgatitur para kësaj sëmundjeje”.
Në Botë, 1. 5 milionë të prekur
Në një raport të Kombeve të Bashkuara paralajmërohet se Evropa Lindore dhe Azia Qendrore janë të vetmet rajone në botë ku shkalla e përhapjes së HIV-it ende po vazhdon të rritet. Raporti thotë se rreth 110 mijë njerëz të tjerë janë infektuar me HIV në vitin 2008, duke e çuar në 1.5 milionë numrin e përgjithshëm në Evropën Lindore dhe në Azi, krahasuar me 900 mijë sa ishte në vitin 2001. Raporti thotë se Ukraina dhe Rusia po përjetojnë epidemi të rënda në rritje. Ukraina e ka shkallën më të lartë të të infektuarve në tërë Evropën, me të paktën 1.6 % të të rriturve.
Ministri Vasili: Mos i diskriminoni të sëmurët
Në ditën Botërore të AIDS, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka folur i shqetësuar për diskriminimin që u bëhet të prekurve me sëmundjen e shekullit. Duke përmendur moton e luftës kundër AIDS, “Akses për të gjithë”, në kuadrin e të drejtave të njeriut, ministri Vasili ka shtuar se priten rezultate gjithmonë e më tepër pozitive në luftën ndaj AIDS në vendin tonë. Ai ka kërkuar që çdo person i prekur nga ky virus të konsiderohet një i sëmurë me të drejtat e plota të tij.

KOMENTET E FUNDIT: