Pakt me qeverinë për shtrenjtimin
Pronarët çekë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë kanë zbuluar marrëveshjen që kanë me qeverinë shqiptare, për rritjen e çmimeve të energjisë. Josef Heisek, drejtori i bordit të OSSH-së, zbulon për herë të parë se, në deklaratën rregullatore qeveria shqiptare ka hedhur firmën për një rritje dyshifrore dhe të përvitshme të çmimit të energjisë, për 5 vitet e ardhshme. “Ne po i bëjmë kërkesat tona, në bazë të marrëveshjes që kemi me qeverinë shqiptare. Në marrëveshjen mes ÇEZ-in dhe qeverisë shqiptare, të dy palët kanë rënë dakord që, duke filluar nga viti 2010 deri në vitin 2014 çmimi i energjisë të rritet 15 për qind plus inflacionin. Kjo është një garanci edhe për planin e investimeve që ne kemi renë dakord me qeverinë tuaj”, - tha Heisek. Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), Heisek, ka deklaruar se ky kusht është pranuar nga qeveria shqiptare, në momentin e privatizimit të OSSH-së. “Marrëveshja që kompania ime ka me qeverinë shqiptare është për një rritje të çmimit të energjisë nga viti 20120 deri në vitin 2014. Rritja parashikohet në masën 15%, plus normën e inflacionit. Enti i Rregullatorit është i detyruar të zbatojë këtë deklaratë të vendosur nga qeveria. Nuk ka asnjë mundësi që Enti t’i shmanget kësaj”, - tha drejtori i OSSH-së. Drejtuesit e ÇEZ-it kanë shpjeguar se rritja e çmimit është e domosdoshme, për të përmirësuar gjendjen financiare të kompanisë me investime, pasi aktualisht, shtoi drejtori: “OSSH-ja ndodhet ne gjendje të vështirë ekonomike”. Sipas Heisek, OSSH-ja ka trashëguar 12 miliardë lekë borxhe për vitin 2009, ku me 3 miliard lekë borxh janë vetëm institucionet shtetërore. Për vitin 2010 është kërkuar një rritje e çmimit të energjisë prej 23 për qind, një vendim ky që Enti Rregullator i Energjisë pritet ta marrë sot. Të tre operatorët e sistemit të energjisë, OSSH, KESH dhe OST, kanë kërkuar një rritje historike të çmimit të energjisë, e cila në total shkon në mbi 50 për qind; kjo në një kohë kur situata hidrike në vend është ndër më të mirat e viteve të fundit, dhe kur çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar ka rënë me gati dy herë.

KOMENTET E FUNDIT: