PS: Berisha manipulon shifrat e krizës
Përtej kontestimit të mënyrës se si u zhvillua procesi zgjedhor i 28 qershorit, Partia Socialiste e ka shtuar dozën e oponencës së saj ndaj qeverisë, këtë radhë në aspektin ekonomik. Duke mbledhur forumin më të lartë, Asamblenë Kombëtare, në një takim ku flitej veç për treguesit e rënduar ekonomikë në vend, kjo forcë politike shfaqi dje një formë të re opozitarizmit të saj, atë të zhvillimit të tryezave, ku ngre problematikat aktuale që po përjeton vendi. Rezultati i saj konkret ka qenë hartimi i një rezolute, e cila ngrinte shqetësimin për gjendjen e rënduar ekonomike dhe financiare të vendit, përtej, siç citon ajo, “shifrave të trukuara e të dhënave të manipuluara nga qeveria. Viti 2009 po mbyllet me një frenim të përgjithshëm të ekonomisë dhe një rritje negative ekonomike. Shqiptarët sot ballafaqohen me rritje të përditshme të kostos së jetesës, rritje të faturës së energjisë, shtrenjtimin e ushqimeve, pagesat gjithnjë e më të larta për shërbimet shëndetësore dhe për arsimimin e fëmijëve.” Ky ka qenë shqetësimi i ngritur nga socialistët e Asamblesë brenda këtij dokumenti, me kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë, në aspektin ekonomik dhe jo atë të manipulimit të zgjedhjeve apo me kërkesën për hapjen e kutive, siç jemi mësuar ta dëgjojmë opozitën të deklarohet vazhdimisht muajt e fundit. Nga ana tjetër, rezoluta e forumit më të lartë të Partisë Socialiste paraqet, përmes faktesh, një klimë të zymtë të treguesve zyrtarë, siç janë deficiti buxhetor, borxhi publik apo edhe kostoja e borxhit, të cilët, sipas saj, janë rritur me papërgjegjshmëri, duke rezultuar me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për vendin. Por, përveç denoncimeve për treguesit e përkeqësuar ekonomikë, dokumenti në fjalë përmban edhe alternativa mbi mënyrën se si ata mund të zbuten apo se si mund të dilet nga kjo situatë. Ata janë mbështetur në tri shtylla kryesore, si rishikimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, ulja e taksave të parashikuara për t’u ngritur, si edhe qetësim të klimës së acaruar të biznesit. Duke bërë të tilla propozime, Partia Socialiste po kërkon të ndikojë në zhvillimet e vendit dhe të kryejë detyrimin e saj opozitar ndaj politikës së qeverisë, edhe pse jashtë Parlamentit.

KOMENTET E FUNDIT: